Bjellorusi, arrestohen disa të dyshuar

12/04/2011 15:40

Disa persona janë arrestuar në orët e fundit në Bjellorusi, të dyshuar për shpërthimin terrorist të një dite më parë në metronë e Minskut, i cili shkaktoi 12 viktima dhe 126 të plagosur.

Hetuesit kanë arritur të zbulojnë se në pakon bombë të shpërthyer rreth orës 18:00 në stacionin e metrosë “Oktyabrskaya”, ishin vendosur edhe tehë të mprehtë dhe pjesë të tjera metalike, për të shkaktuar sa më shumë viktima nëpërmjet fluturimit të tyre në ajër.

Bomba përmbante pesë kilogram tritol dhe synimi i organizatorëve të këtij sulmi ishte që të vrisnin sa më shumë njerëz.

Sipas presidentit Bjellorus, Alexander Lukashenko, sulmi mund të jetë vepër e shërbimeve sekrete perëndimore, të cilat përpiqen të destabilizojnë vendin e tij.

Sulmet terroriste janë të panjohura në ish-Republikën Sovjetike, ndryshe nga sa ndodh në Rusinë e goditur vazhdimisht nga grupime separatiste e islamike.

Lajmin për arrestimin e disa personave e bëri të ditur Ministri i Brendshëm i vendit, por ai nuk dha saktësime për numrin apo identitetin e tyre.

Vendi ku ndodhi shpërthimi është në qendër të kryeqytetit, vetëm 100 metra nga zyrat e presidentit Lukashenko.

Top Channel