“Spiuni” i Wikileaks, OKB censurohet nga SHBA

12/04/2011 15:20

Një hetues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara deklaroi sot se është bllokuar prej Uashingtonit, në tentativën e tij për të hedhur dritë për akuzën e torturave mbi ushtarin Bradley Manning.

I akuzuar për dhënien e 720 mijë dokumenteve sekrete “Wikileaks”-it, 23-vjeçari që rrezikon dënimin me vdekje ka tentuar disa herë të vrasë veten në qelinë e tij.

Besohet se presioni psikologjik dhe dhuna fizike e ushtruar ndaj tij janë ato që e kanë çuar Manning në një stres të papërballueshëm, të denoncuar edhe prej avokatëve të tij.

”Qeveria e Shteteve të Bashkuara u shpreh negativisht mbi kërkesën e bërë për një takim personal me Manning”, deklaroi Mendez, hetuesi i OKB-së.

Uashingtoni pranon të lejojë kryerjen e vizitës në bazën ushtarake të Kuantikos, në Virxhinia, vetëm nëse zyrtarë ushtarakë do të jenë të pranishëm.

Më parë, SHBA ka pretenduar se rreth çështjes Manning ka patur shumë keqinformime, ndërsa kanë hedhur poshtë akuzat për tortura si lënia e detyruar pa gjumë apo zhveshja për ditë të tëra në kushte të të ftohtit.

Top Channel