Biznesi, “frikë” nga amnistia

11/04/2011 16:55

Biznesi bën një përpjekje të fundit për të bindur qeverinë të tërhiqet nga projekti i njëanshëm për amnistinë fiskale.

Sipërmarrësit kundërshtojnë pothuajse të gjitha nenet kyce të ligjit, por pika më e nxehtë është ajo e garancisë.

“Bode thotë, megjithëse vetëdeklarohesh, unë pas 1 viti do vij të kontrolloj dhe nëse nuk e gjej deklarimin konform ligjit, ti nuk je më subjekt i amnistisë dhe e humb këtë të drejtë. Ky është një rrezik”, deklaron Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë.

Frika e biznesit është e lidhur me nenin 22 të draftit që propozon qeveria. Ky nen lë hapsirë që deklarimet vullnetare të biznesit mund të merren si indicie dhe më pas bëhen objekt hetimi i ligjit antimafia. Në këtë pikë, Dhoma e Tregtisë ia bën të qartë qeverisë rezultatin.

“Siguroj se me këtë ligj dhe me këtë nen, sipërmarrja është jashtë këtij ligji dhe rritet dyshimi mbi qëllimin e këtij ligji”, ka nënvizuar Jaka.

Përvc debatit për sigurinë dhe atë për tarifat, biznesi dhe qeveria kanë edhe një tjetër përplasje, që ka të bëjë me atë se si do shpërndahen fondet e mbledhura nga procesi.

Nikolin Jaka thotë se sipas llogarive të dhomës, nëse qeveria do marrë parasysh propozimet e biznesit, procesi mund të gjenerojë mbi 1 miliardë euro të ardhura në buxhet.

“Në rastin konkret ne kemi propozuar që 65 për qind të shkojë në buxhet, 35% në një grant për stimulimin e sipërmarrjes shqiptare, në sektorët e bujqësisë dhe turizmit, në formën e kredive të buta, me tarifa jo më shumë se 2-3 për qind”, ka sqaruar Jaka.

Qeveria e dërgoi ligjin me procedura të përshpejtuara në Kuvend dhe gjasat janë që këtë javë drafti të miratohet. Deri më tani amnistia ka humbur konsensusin politik, cka e cënon jo pak kredibilitetin e procesit.

Por gjasat janë që nëse ligji do të votohet ashtu sic po këmbëngul qeveria, amnistia në Shqipëri të humbasë edhe konsensusin me sipërmarrjen dhe ky do ishte dështimi i parlajmëruar i ligjit që përflitet prej vitesh.

Top Channel