Pogradec, Rama prezanton Artan Shkëmbin

10/04/2011 18:10

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi mbështetjen e pogradecarëve dhe gjithë shqiptarëve në atë që ai e quajti një betejë ndaj koalicionit të kusarëve.(UPDATE)

Për zotin Rama ka ardhur momenti që kabineti aktual të marrë një përgjigje të prerë duke i thënë kurrë më qeverisjes për interesa personale.

“Të dy bashkë për të vjedhur, Saliu dhe Iliri, të dy bashkë si për t’iu thënë demokratëve dhe socialistëve: gjithcka që dëgjoni është një tallje e madhe, gjithcka që shikoni është një tallje e madhe, gjithcka që përfytyroni është një tallje e madhe, ndërkohë që ne dy ketu jemi bashkë vetëm për 1 arsye të madhe, të grabisim c’të mundemi dhe të sundojmë sa të mundemi”, tha Rama para elektoratit progradecar.

Sipas kryesocialistit qeveria po planifikon edhe manipulime për 8 majin duke përdorur, sic tha ai, paratë e falsifikuara me të cilat synohet të blihet vota e shqiptarëve kudo që ata ndodhen.

“1 milion të papunë ka sot Shqipëria. Secili prej tyre që kërkon dhe e do një punë, të mos rrijë pa punë më 8 maj por të shkojë të votojë për të marrë hak, për të marrë hakun që i takon duke i thënë Saliut: Kurrë më! Kurrë më vrasje e tortura qytetarësh që demonstrojnë kundër qeverisë! Kurrë më grabitje të popullit dhe pronash të qytetarëve me ligje anti-kushtetuese dhe vendime qeverie të paligjëshme! Kurrë me një pushtet që mbron kryeministrin, ministrat dhe shërbëtorët e tyre nga drejtësia dhe një drejtësi që nuk i jep qytetarit të zakonshëm as të drejtën që ia jep ligji!’, tha Rama.

Duke i kërkuar qytetarëve të Pogradecit mbështetje për kreun aktual të bashkisë, Artan Shkëmbi, socialisti Rama tha se qeveria aktuale ka varfëruar dhe po varfëron cdo ditë shqiptarët duke u grabitur gjithcka pa asnjë mëshirë e duke i mashtruar, sic tha ai, për cdo gjë.

Më pas lideri i opozitës ka qenë në Prrenjas nga ku kërkoi që votuesit t’i japin në 8 maj përgjigjen e merituar qeverisë aktuale që po mbytet cdo ditë në korupsionin e saj.

Top Channel