“Korça më afër me Tiranën”

10/04/2011 15:40

Në Korçë kryeministri Berisha e vuri theksin tek projekti i rrugës që do të afrojë më shumë këtë qytet me Tiranën duke e shkurtuar, sic tha ai, me të paktën 60 përqind distancën mes tyre.(UPDATE)

“Me rrugët e reja që ndërtojmë, autostradën Tiranë-Elbasan, autostradën Quks-Qafë Plloç ne shkurtojmë distancën Korçë-Tiranë nga 185 km në 125 km. Po të kemi parasysh cilësinë e rrugëve, distanca Korçë-Tiranë shkurtohet së paku me 60 përqind të kohës”, tha Berisha para elektoratit korçar.

Duke i kërkuar korçarëve të mbështesin kandidatin Andrea Mano, Berisha sulmoi ashpër edhe rivalin e tij politik. Rama i cili sipas tij, udhëheq koalicionin e betonit që kërkon të shkatërrojë Shqipërinë.

“Kësaj radhe vazhdojë vetëm luftën me mullinjtë e erës sepse në këtë fushatë unë jam njëri prej jush, ndërsa ju qytetarët jeni ministrat, kryeministrat, presidentët e mi, që do të më udhëhiqni mua drejt fitores më të thellë, do të vendosni Andrea Manon si qytetarin tuaj të parë”, tha Berisha.

Kandidati Mano premtoi një Korçë për të gjithë qytetarët duke i rikthyer, siç tha ai, shkëlqimin e dikurshëm.

“Unë dua të vendos qytetarët të parët. U kërkoj të besoni në vizionin dhe programin tim. Për të arritur këto objetiva, unë dëshiroj të kem besimin e bashkëpunimin e të gjithëve ju pa përjashtim. Synoj ta kthej Bashkinë e Korçës në një bashki që të ketë në qendër qytetarin, që nuk përjashton asnjë dhe askënd”, tha kandidati Mano.

Top Channel