Arvizu: Si veprova pas 21 janarit

07/04/2011 22:15

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë vijuar ndaj Shqipërisë me të njëjtën politikë të ndjekur gjatë kohës së parardhësit të tij në këtë detyrë, John Withers.

Në një intervistë për emisionin “Top Story”, Arvizu është shprehur se asnjëherë nuk është përpjekur të tejkalojë cakun e veprimeve të tij diplomatike kundrejt shtetit shqiptar.

“Ka vazhdimësi të jashtëzakonshme të politikës së SHBA në Tiranë, pasi situata politike është acaruar pak. Kur unë kam mbërritur këtu kanë ndodhur disa gjëra, përfshirë 21 janarin. Ndonjëherë njerëzit e ekzagjerojnë ndikimin e ambasadorit amerikan. Unë nuk e kam komentuar 21 janarin. Bëra disa gjëra që ndjeva se ishin gjërat e duhura”, ka deklaruar Arvizu.

Gjatë intervistës së tij, e para për një media shqiptare që nga ardhja në Tiranë, diplomati amerikan ka sqaruar edhe keqkuptimet e krijuara me përdorimin e termit “burrë shteti” për kryeministrin Berisha, i përdorur edhe nga pararendësi i tij, Withers.

Arvizu ka treguar edhe mënyrat se si ka vepruar ai pas ngjarjeve të 21 janarit, duke e vënë theksin tek takimet e tij me zyrtarët shqiptarë.

“Kam dëgjuar shumë diskutime, debate e spekulime mbi cështjen e termit “burrë shteti”. E vërteta është se unë nuk kam qenë në dijeni të faktit që pararendësi im ka përdorur këtë term ndaj një zyrtari. Më 22 janar, të gjithë ne kemi qenë të shokuar nga ajo që ka ndodhur një natë më herët. Ajo që më tronditi mua ishte se sa të shqetësuar kanë qenë shqiptarët. Ata erdhën tek unë dhe më thanë se një gjë e tillë nuk ndodhte për një kohë të gjatë, ndërsa tani është rikthyer. Opozita fliste për më shumë protesta, ndërsa kryeministri për një tubim paqësor. U vendos të rritej presioni dhe nënsekretari Philip Gordon foli në telefon me kryeministrin Berisha. Pas një ore ai doli në një fjalim ku njoftoi se tubimi ishte anuluar. Për këtë vendim unë e vlerësova atë si një burrë shteti”, ka sqaruar Arvizu.

“Nuk prisja që të shkaktoja kaq shumë reagime. Shumë vetë më thanë se mund ta komplimentoja ndryshe, por jo kështu. Më vjen keq që kjo thënie ka krijuar kaq shumë keqkuptime”, ka vijuar ai.

Më tej ambasadori ka komentuar edhe ngjarjet e 21 janarit, duke theksuar se humbja e katër jetëve nuk duhet të kishte ndodhur.

Ai ka nënvizuar se organet e drejtësisë duhet të zbardhin përgjegjësinë për të, duke njoftuar se në ndihmë të saj do të vijnë dy prokurorë nga Amerika.

“Humbja e 4 jetëve nuk duhet të kishte ndodhur, këtë e ka thënë edhe zoti Countryman. 21 janari ka qenë një sekuencë e tmerrshme ngjarjesh. Që të shërbehet drejtësia për atë që ka ndodhur është rruga që ka zgjdhur prokuroria. Dy prokurorë amerikanë me përvojë do të vijnë këtu për të ndihmuar prokurorët, policinë shqiptare dhe laboratorin e kriminalistikës”, ka nënvizuar Arvizu.

Duke komentuar veprimet e autoriteteve shqiptare lidhur me këtë ngjarje, Arvizu ka shtuar se, “nëse disa individë nuk kanë vepruar si duhet, atëherë duhet të përballen me pasoja, por kjo nuk duhet të nxisë tensione”.

Top Channel