Remitancat në pikiatë

29/03/2011 16:20

Shqipëria duket se po humbet një nga burimet kryesore të të ardhurave nga jashtë, atë të dërgesave të emigrantëve.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se dërgesat e shqiptarëve që punojnë në emigracion shënuan vitin e kaluar rënien më të fortë, duke arritur pikën më të ulët të 7 viteve të fundit.

Sipas të dhënave, në vitin 2010 dërgesat e emigrantëve u tkurrën në 696 milionë euro, ose 11 për qind më pak se sa një vit më parë, rënie kjo më e madhe edhe se sa ajo e vitit 2009, kur kriza globale arriti kulmin.

Por më shumë se sa ulja e vitit të kaluar, ajo që përbën shqetësimin më të madh është tendenca e dërgesave. Trasnfertat e shqiptarëve që punojnë jashtë arritën kulmin në vitin 2007 kur ato ishin 952 milionë euro.

Por krahasuar me atë vit dërgesat janë sot 256 milionë euro më të ulëta, shifër kjo e barabartë me rreth 3 për qind të produktit të brendshëm kombëtar.

Dërgesat e emigrantëve që nga vitet e para të tranzicionit kanë qenë burimi kryesor i valutës në Shqipëri, të cilat kanë financuar përgjatë gjithë tranzicionit nevojat e vendit për importe, por edhe rritjen ekonomike.

Tashmë ekonomia duket se po i drejtohet burimeve të tjera për valutë. Të dhënat tregojnë se deri tani rënia e dërgesave është kompensuar nga investimet e huaja direkte, të cilat vitin e kaluar arritën nivelin më të lartë prej 827 milionë euro.

Ndërsa turizmi, pavarësisht trumbetimeve politike, vazhdon të ketë efekt minimal neto në hyrje-daljet e përgjithshme të valutës, pasi të ardhurat që ekonomia fiton nga tursitët rishpenzohen në pjesën dërrmuese sërish nga shqiptarët që udhëtojnë jashtë shtetit.

Shpresa tjetër për të mbuluar nevojat e vendit me valutë mbeten eksportet, të cilat pavarësisht rritjes së shpejtë që po shfaqin në dy vitet e fundit, mbeten sërish shumë më të ulëta nga importet.

Top Channel