PS: Topalli abuzoi

26/03/2011 13:15

Partia Socialiste ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në lidhje me atë që deputeti Taulant Balla e quan skandalin më të fundit të qeverisë Berisha e që këtë herë ka lidhje me konkursin për kompaninë që do të ndërtojë kompleksin e ri parlamentar e që, sipas PS-së, ka qenë i paracaktuar.

“Më kot përpiqet Xhozefina Topalli të mohojë vërtetësinë e faktit se studioja Vjeneze COOPHIMELB (L) AU është fituesi i paracaktuar i projektit për kompleksin e ri parlamentar. Në këtë gazetë, 12 ditë para se të shpallej fituesi, ose 8 ditë para se juria ndërkombëtare të ulej për vlerësimin e projekteve, është parathënë se arkitekti i projektit të parlamentit të ri të Shqipërisë quhet Ëolfgang Prix, pra kompania COOPHIMELB (L) AU”, është shprehur Balla.

Sipas deputetit socialist, zonja Topalli për më tepër ka shpenzuar edhe 50 mijë euro të tjera taksa të shqiptarëve për spote televizive që janë transmetuar, ndërkohë që fituesi ishte vendosur kohë më parë.

“Pse duhet të shpenzoheshin 50 mijë euro për reklama televizive të paraporositura, ndërkohë që pazarin për fituesin ti e kishe mbyllur me kohë? Pse mbahet fshehur vlera e këtij projekti? Kush është sekseri që të ka pëshpëritur në vesh për të paracaktuar fituesin e këtij projekti?”, theksoi Balla.

Deputeti i Partisë Socialiste e vuri theksin gjithashtu tek 2 milionë eurot e shpenzuara për rikonstruksionin e Piramidës dhe kthimin e saj në teatër dhe 700 mijë eurot e hedhura në sallën aktuale të Kuvendit. Një shifër që së bashku me atë të reklamave, sipas Ballës, është një vjedhje nga xhepat e shqiptarëve.

“Xhozefina dhe Saliu janë fajtorë për shpërdorimin e vjedhjen e 2.8 milionë eurove të shqiptarëve deri tani. Kjo aferë është një tjetër shembull i makutërisë së paturpshme që sot përbën modelin e qeverisjes së koalicionit të turpit – i cili vjedh kudo gjithçka mundet.Prandaj pavarësisht heshtjes së fajtorëve, shqiptarët e kanë gati mesazhin për pushtetin e kusarëve e vrasësve.Kurrë më shpërdorime me fondet publike si këto!”, theksoi ai.

Këto fakte sipas socialistëve janë të mjaftueshme për t’i treguar shqiptarëve fytyrën e vërtetë të qeverisjes aktuale që synon të mbushë xhepat e saj dhe jo të kontribuojë në zhvillimin e vendit.

Top Channel