Mashtrimet me kombësinë

28/02/2011 19:50

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu i ka propozuar Drejtorisë së përgjithshme të gjendjes civile që të kryejë kontrollet e saj, pasi nga verifikimet në gjyqësor rezulton se ka shkelje të renda.

“KLD po vijon verifikimet. Numri i qytetarëve që kanë ndryshuar kombësinë me procese gjyqësore është 3900, afër 4 mijë. Por nga informacionet që kemi nga gjyqësori kjo mund të jetë maja e ajsbergut pasi ndryshimet mund të jenë bërë në mënyrë administrative. Kërkojmë nga gjëndja civile që të bëjë verifikime”, ka deklaruar Spahiu.

Spahiu sjell si fakt të shkeljeve me rregjistrat e gjendjes civile në Tiranë, ku nga e njëjta zyrë certifikata e një personi ka dalë njëherë me kombësi greke dhe njëherë me kombësi shqiptare.

“Disa qytetarë shqiptarë, që me origjinë kanë qenë shqiptarë, vetëm sepse kanë lindur në Gjirokastër shënohen me kombësi greke. Pastaj ka raste kur zyra e gjendjes civile të njëjtit person njëherë i ka dhënë kombësi shqiptare dhe njëherë greke”, është shprehur Spahiu.

Numri dy i KLD-së deklaron se, duhet të përfitohet nga shtyrja e përkohshme e rregjistrimit të popullsisë.

“Të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetueshmërinë e ligjit të gjendjes civile, të bëhën ndryshime në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe një verifikim i falsifikimeve dhe abuzimeve në regjistrat e gjendjes civile”, ka theksuar Spahiu.

Sipas Spahiut, të gjithë zyrtarët qe do t’u konstatohen shkeljet duhet të shkojnë për ndekje penale.

Top Channel