21 janari, Prokuroria zbulon “urdhëruesit”

28/02/2011 11:55

Tre drejtuesit e Gardës së Republikës, komandanti, zëvendëskomandanti dhe shefi i njësisë speciale numër dy janë persona që dyshohet se kanë dhënë urdhër për të qëlluar ndaj demonstruesve të 21 janarit, gjatë “rrethimit” të Kryeministrisë, ku humbën jetën katër persona që u qëlluan me armë zjarri.

Ndrea Prendi, Alfred Ahmetcenaj dhe Dashamir Shehi kanë qenë pasditen e 21 janarit brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe grupi hetimor dyshon se këta gardistë kanë dhënë urdhër për të qëlluar ndaj demonstruesve të paarmatosur që ndodheshin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.

Drejtuesit e gardës dyshohet se kanë komunikuar me njëri-tjetrin ditën e ngjarjes, ndërsa akuza thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i kërkuar gjykatës masat shtrënguese.

Megjithatë, ata duhet të qëndrojnë në Shqipëri deri sa hetimet të përfundojnë dhe të përcaktohet edhe statusi në këtë procedim penal, ku disa gardistë të rolit të mesëm dhe të ulët janë ndaluar, ku njëri prej tyre po hetohet me masën e arrestit “burg pa afat” ndërsa tre të tjerë me masën “30 ditë burg”.

“Ndrea Prendi, Alfred Ahmetcenaj dhe Dashamir Shehi janë drejtuesit e Gardës së Republikës që kanë qenë në detyrë ditën e ngjarjes, për të cilët po zhvillohen hetime nën akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’. Këta persona dyshohet se kanë dhënë urdhër për të qëlluar ndaj demonstruesve”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila saktëson se po zhvillon ende hetime.

Nga të dhënat e marra ka rezultuar se Prendi, Ahmetcenaj dhe Shehi kanë komunikuar ditën e ngjarjes me njëri-tjetrin, ndërsa akuza nuk ka marrë bashkëpunimin e duhur nga garda për të mësuar rreth temës së bisedave.

Si rrjedhojë, Prokuroria e Tiranës është e kushtëzuar në hetimet në këtë aspekt, megjithatë deklaron se mund t’i nxjerrë këto të dhëna me deduksion, duke përdorur provat, dëshmitë dhe ligjin për Gardën e Republikës.

Nga hetimet e deritanishme janë sekuestruar vetëm urdhrat e planit të masave dhe instruktazhit. Grupi hetimor i ngritur nga Prokuroria e Tiranës ka kërkuar disa javë më parë tabulatet e drejtuesve madhorë të Gardës së Republikës, të cilat nuk i kanë shërbyer këtij hetimi, pasi duhet një kohë e gjatë për t’u verifikuar dhe për të dalë në një konkluzion.

Një tjetër kërkesë ka qenë për pajisjet me të cilat mund të kishin komunikuar me njëri-tjetrin, megjithëse garda tha se nuk disponon një të tillë. Zhbllokimi i ngërçit i ka shërbyer më shumë drejtuesve të Gardës së Republikës.

Megjithëse u lëshuan urdhrat e ndalimit, drejtuesit e gardës nuk u ndaluan, pasi nga hetimet nuk ishte i qartë roli i tyre në ngjarjet e 21 janarit. Grupi hetimor deklaron se dokumentet e sekuestruara në gardë nuk hedhin dritë mbi asnjë veprim konkret për mbarëvajtjen e demonstratës së 21 janarit, por thjesht planin e masave.

Madje, dokumentet e gardës nuk zbardhin se kush dha urdhër për të qëlluar në ajër ose drejtpërdrejt ndaj turmës, megjithëse një konkluzion i tillë mund të nxirret nga hetimet e mëvonshme.

“Janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale armë të efektivave të Gardës së Republikës. Janë sekuestruar urdhrat e planit të masave dhe instruktazhit të datës 21 janar 2011, si dhe urdhrat për numrin e gardistëve që kanë qenë ditën e ngjarjes në objektin e Këshillit të Ministrave”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.
 

Top Channel