Një shtetas somalez, i cili pranoi akuzat për pirateri, u dënua me 33 vjet heqje lirie nga një gjykatë amerikane, më parë gjatë ditës.
Abdiwali Abdiqadir Muse ishte i mbijetuari i vetëm i një grupi prej katër piratësh, të cilët u përpoqën të rrëmbenin një anije tregtare amerikane, pranë brigjeve të Somalisë, në prill 2009.
Një luftanije amerikane i erdhi në ndihmë anijes së sulmuar, ndërsa snajperat ushtarakë vranë tre piratët e tjerë, që po përpiqeshin të largoheshin me një gomone, pasi kishin marrë peng kapitenin e anijes.
Muse deklaroi përpara gjykatës së i vinte keq për atë që kishte bërë, për faktin që kishte sulmuar një anije amerikane, por jo për veprimin e piraterisë në përgjithësi.
Dënimi prej 33 vitesh burgim pa të drejtë apeli është i lehtë, duke patur parasysh që ai rrezikunte burgimin e përjetshëm.
Ky ishte procesi i parë për pirateri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej viteve 1800. Sulmet e piratëve somalezë i kushtojnë ekonomisë disa miliarda dollarë dëme në vit, që prej fillimit të tyre në vitin 2005.
Top Channel