Këshilli i rregullores dëgjon Metën

14/02/2011 14:45

Këshilli i rregullores dhe imuniteteve u mblodh sot për të diskutuar kërkesën e prokurorisë së përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në hapje të mbledhjes lexoi kërkesën e prokurorisë.

Në mbledhjen e parë të këtij këshilli iu dha mundësia deputetit Ilir Meta për të folur para këshillit për këtë kërkesë. Ndërsa Dritan Prifti do dëgjohet nga këshilli nesër.

Në fjalën e tij, Meta tha se ka kërkuar vetë heqjen e imunitetit dhe se është paraqitur vullnetarisht edhe në prokurori.

Meta e ka cilësuar videon mbi bazën e së cilës ai akuzohet si montazh televiziv. Meta ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga prokuroria e përgjithshme, por edhe nga ish-ministri Dritan Prifti.

Kryetari i LSI-së në fjalën e tij ka komentuar edhe kërkesën e prokurorisë dhe raportin e ekspertit amerikan që ka analizuar videon.

Meta tha se nuk ka mohuar që ka qenë në atë video, por ka theksuar faktin se eksperti nuk ka zbardhur zërin në video.

Duke përmendur faktin se edhe vetë ai ka kërkuar nga ekspertë të fushës për të analizuar videon, Meta ka lexuar raportin e paraqitur prej tij ku jepen të dhënat që ai ka zbuluar duke përfunduar se sipas asaj analize ka një manipulim.

Top Channel