“Gërdeci”, thirren ekspertët

14/02/2011 19:55

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e avokatëve të të pandehurve të cështjes “Gërdeci” të thërrasë para palëve tetë ekspertë të pavarur që kanë firmosur aktekspertimet e kryera pas tragjedisë së 15 marsit në Gërdec.

Lidhur me kërkesën tjetër të avokatëve për të thirrur edhe ekspertët amerikanë mbi aktekspertimin e tyre në Gërdec, gjykata tha se do të shprehet në një moment tjetër.

Aktekspertimi i specialistëve të pavarur i lexuar në gjykatë nënvizonte se nga kontrolli i dokumentacioneve mbi kontraten mes “Sac” dhe “Meico” rezulton që ajo është firmosur me mungesë të plotë dokumentash, pasi “Sac” sipas ekspertëve kishte dorëzuar vetëm një licensë, edhe kjo jo për demontim por për import.

Po kështu, sipas ekspertëve, edhe për “Albademil” mungon dokumentacioni i autorizimit të kësaj shoqërie nga kompania amerikane “Sac”, si dhe licensimi i saj për të demontuar municione.

Ndërkohë, në raportin tekniko-ushtarak të lexuar këtë të hënë në gjykatë, janë lexuar rregullat ushtarake që nisin që nga transporti e deri tek demontimi, që sërish sipas raportit tekniko-ushtarak është bërë pa patur një grafik mbi kalibrin e municioneve që duhet të demontoheshin.

Me kërkesë të avokatëve Maks Haxhia dhe Vladimir Meci u kërkua dorëheqja e gjyqtarit kryesues Ridvan Hado, me argumentimin se ai është treguar i njëanshëm.

Ndërkaq, në vijim të debateve mbi shkaqet pse gjykata nuk ka arritur ende të shprehet me një vendim mbi 29 të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit, shoqata e avokatëve penalistë bën shkaktare kryesisht prokurorinë dhe gjykatën dhe shfajëson palën mbrojtëse.

Top Channel