Dënimi, Tahiri letër Topallit

11/02/2011 20:55

Pak orë pas kësaj ngjarjeje në Kuvend, byroja parlamentare, me kërkesë të shtatë deputetëve të Partisë Demokratike vendosi dënimin e tre deputetëve socialistë duke i akuzuar për dhunë në Parlament.

Një ditë më pas, njeri prej të ndëshkuarve, deputeti Saimir Tahiri i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me një letër ku ka kërkuar arsyet e përjashtimit të tij nga Kuvendi për 15 ditë.

Në një letër ironike, të shprehur në dialekt në disa pjesë të saj, Tahiri i kërkon kryetares së Kuvendit shpjegime për dënimin dhe është shprehur se, nuk ka shkelur asnjë ligj të Kushtetutës.

Në letër, deputeti socialist akuzon zonjën Topalli se, keqpërdor mikrofonin me provokime dhe ofendime ndaj opozitës, duke deklaruar se ai përveçse nuk ushtron dhunë fizike, nuk do të sillet asnjëherë në këtë mënyrë me deputetët e mazhorancës.

“Duke qenë se personalisht nuk kam konsumuar asnjë nga parashikimet e rregullores së Kuvendit për të legjitimuar përjashtimin tim për 15 ditë nga punimet e komisioneve dhe seancave plenare, si dhe duke konsideruar se kjo është një çështje mjaft e rëndësishme, po ju drejtohem për të mësuar prej jush personalisht arsyet e kësaj mase disiplinore që është marrë ndaj meje. Në këtë aspekt unë detyrohem të shpejgoj se nuk i përkas asnjë grupi të dhunshëm deputetësh, nuk kam kërcënuar asnjë me jetë apo të kem ushtruar dhunë ndaj ndokujt. Nuk kam shkelur as Kushtetutën dhe as ligjin dhe të gjitha këto më dallojnë qartësisht nga ju dhe shefi juaj, kryeministër. Gjithashtu dëshiroj të shtoj se duke parë shkëlqesinë tuaj të keqpërdorë mikrofonin e spikeres me provokime dhe ofendime për deputetët e opozitës me ofshama dhe pasthirrma lezeti, të qeshura dhe të bërtitura, kërcënime dhe shumë të tjera si këto që ju bëni vazhdimisht në seancat plenare, kam mësuar mirë llojin, modelin dhe racën se si nuk duhet të jetë një deputet i Kuvendit, njëkohësisht duke i premtuar vetes se nuk do të lejojë kurrë t’ju ngjajë lagësisht juve ose më keq akoma, atij që përpiqeni t’i ngjani dhe ju vetë”, thuhet në letër.

Tahiri u përjashtua bashkë me dy deputetë të tjerë të PS-së, nga punimet parlamentare për një afat 15 ditorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA