Modelja italiane: Ja si më gjuajti Berlusconi

03/02/2011 20:10

Një modele italiane, e cila besohet se është lidhur me sulmuesin e Manchester City-t, Mario Balotelli, tregoi se si Kryeministri Silvio Berlusconi kishte tentuar t’i afrohej gjatë një mbrëmje në Romë.

Sipas fjalëve të 29-vjeçares Sara Tommasi, Kryeministri u përpoq të flirtonte me të gjatë festës së një biznesmeni të rëndësishëm, në një vilë në kryeqytet.

74-vjeçari Berlusconi iu afrua duke i ofruar fillimisht një vend pune në rrjetin e tij të televizioneve. “Ai më tha se ishte shumë i impresionuar nga paraqitja dhe hiret e mia”, deklaroi Tommasi.

”Më pas, filloi të më bënte komplimente, duke më thënë se isha shumë e bukur dhe e zgjuar. Më tha se duhet të filloja të merresha me politikë dhe se do të më ofronte një pagë shumë të mirë.

Silvio ishte shumë i gatshëm për të më ndihmuar me gjithçka, por unë i thashë që dua thjesht të bëhem aktore”.

Pas këtij takimi, Sara vazhdoi të ftohej në disa festa, nga vetë Kryeministri, në festat e organizuara prej tij në vilën personale të Milanos.

”Ka shumë vajza të bukura dhe njerëz të lidhur me biznesin e spektalit, të cilët shkonin me shumë dëshirë në këto festa. Unë kam qenë prezente në njërën prej tyre”, vazhdoi Tommasi.

”Kishte shumë, shumë vajza të bukura dhe një pjesë qëndruan atje gjatë të gjithë natës. Njerëzit hynin e dilnin vazhdimisht nga dhomat, prandaj mund të ishin duke bërë gjithçka që dëshironin”.

Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, është duke u hetuar për akuzën e pagimit të marrëdhënieve seksuale me të mitura. Nëse këto akuza do të vërtetohen, ai rrezikon deri në tre vjet burgim.

Top Channel