Disa herë, kryeministri Sali Berisha ka përdorur fjalinë se, në tentativën e dytë për rrëzimin me dhunë të qeverisë së tij legjitime, Edi Rama do të marrë përgjigjen e merituar.
Se cfarë do të thotë “përgjigje e merituar”, këtë kryeministri Berisha e deklaroi në mbledhjen e Komitetit ndërministror të intgerimit, duke përdorur fjalën e huaj “letale”, që në shqip, fjale për fjalë do të thotë vdekjeprurëse.
Deklarata e kryeministrit Sali Berisha ishte mesazh i drejtpërdrejtë për liderin e opozitës Edi Rama, të cilin e konsideron si organizatorin kryesor të grushtit të shtetit dhe në një kohë kur opozita ka paralajmëruar protesta të tjera.
“Ky grusht shteti, ky puc dështoi duke mos përdorur më shumë se një pjesë të potencialit për shtypjen e tij. Ishin njësite e Policisë së Shtetit dhe të gardës, edhe ato pjesërisht të angazhuara, që zmbrapsën, që bënë të dështojë, që shpartalluan bashibozukët e tij, për t’u thënë se cdo sulm tjetër do të jetë fatal, do të jetë letal si për banditët, ashtu edhe për organizatorët”, deklaroi Berisha.
Kryeministri e bëri këtë deklaratë të fortë dhe të paprecedentë, pasi kishte akuzuar më parë zotin Rama se me protestën e dhunshme, me qëllim rrëzimin e qeverisë legjitime, ai i kishte vënë një vulë të zezë integrimit të vendit. Duke paralajmëruar kështu se këtë vit Shqipëria rrezikon sërish marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Duhet të jemi të qartë se grushti i shtetit që dështoi i ka dhënë një goditje të padiskutueshme projektit më madhor të kombit shqiptar, projektit të integrimit të tij në Evropë”, theksoi Berisha.
Nga 12 kushtet e vëna nga Komisioni Europian, të paktën 4, që lidhen me dialogun politik në Parlament dhe reformat me shumicë të cilësuar, për të cilat duhet vota e opozitës, në vlerësimin e kryeministrit Berisha janë të pamundura të realizohen.
Por lajmet nga kjo mbledhje nuk mbarojnë këtu. Duke i ngarkuar ministrit të Drejtësisë detyrën që t’i këkrojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë të vendosë rregulla të reja për emërimin e gjyqtarëve, kryeministri Berisha, pa i përmendur emrin, akuzoi presidentin e Republkes, Bamir Topi, për marrje rryshfetesh për emërimin e gjyqtarëve, një kompetencë që sipas Kushtetutës e ka presidenti i Republikës, pasi gjyqtarët zgjidhen nga KLD, i drejtuar po nga presidenti Topi. Kur foli për rryshfete në emërim, kryeministri Berisha iu referua raporteve ndërkombëtare.
“Ky problem është bërë më madhor për shkak të monopolizimit të tij, jashtë procedurave transparente. Këto mënyra emërimi, transferimi, lëvizjeje, komandimi të gjyqtarëve kanë ngjallur me kohë shqetësimin në radhe të parë të komunitet të gjyqatërve, të cilët janë të dekurajuar dhe të corientuar, nga një politikë e tillë personale, që sipas një raporti bëhet mbi baza rryshfeti të qarta që ata duhet të paguajnë për t’u emëruar dhe më pas u marrin qytetarëve për të paguar investimin e tyre”, tha Berisha.
Në mbledhjen ku u miratua plani i punës për zbatimin e atyre prioriteteve që varen nga qeveria, kryeministri, duke iu referuar një rasti konkret për transferimin e 500 mijë metrave katrorë tokë bujqësore, akuzoi edhe organin e akuzës se ka bllokuar afera të mëdha korruptive me lidhje politike. Dhe për këtë, kryeministri Berisha kërkoi një hetim parlamentar.
“Janë të tjerë paralarës të miliona euro e dollarëve që janë vendosur nën protektoratin politik të prokurorisë. Zoti ministër, duke shprehur respektin më të madh për të gjitha proceset e ngritura ndaj administratës dhe qeverisë, bllokimi i cështjeve të tilla të mëdha nga organi i akuzës duhet të jetë në epiqendër të kontrollit, jo vetëm nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga Parlamenti”, shtoi Berisha.
Top Channel