Lezha po zbulohet ndryshe këtë verë. Përtej rërës dhe detit, turistët po zgjedhin të njohin historinë, kulturën dhe natyrën përmes guidave turistike në monumentet dhe atraksionet më të rëndësishme të zonës.
Kalaja e Lezhës, Memoriali i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, muzetë dhe Laguna Kune-Vain janë tashmë pjesë e itinerareve që po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Përmes këtyre tureve, pushuesit nuk përjetojnë vetëm bregdetin, por edhe historinë dhe pasuritë natyrore të Lezhës.
“Prej disa ditësh ndodhem në Shëngjin, ku po kaloj pushimet verore. Krahas bregdetit, sot zgjodha të eksploroj edhe atraksionet e tjera që ofron ky rajon. Iu bashkova një itinerari turistik, ku vizitova Kalanë e Lezhës, muzetë dhe Lagunën Kune-Vain. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, që më dha mundësinë të njoh më nga afër Lezhën, historinë dhe bukuritë e saj”, thotë një turiste.
Ndërsa një tjetër turist thotë: Ky është një vend shumë interesant, që ofron shumë më tepër sesa bregdetin. Gjatë këtij itinerari vizituam Memorialin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Kalanë e Lezhës dhe atraksione të tjera historike e kulturore. Lezha është një qytet me shumë histori dhe ia vlen ta njohësh. Nuk e dija që, përveç plazheve, kishte kaq shumë vende interesante për t’u vizituar. Jam shumë i kënaqur që iu bashkova këtij turi turistik.
Nga ana tjetër, përgjegjësi i monumenteve kulturore, Paulin Zefi, tregon se këtë vit është regjistruar një rritje prej 15% e numrit të vizitorëve. Sipas tij, turistët amerikanë kryesojnë listën e vizitorëve të huaj, të ndjekur nga ata izraelitë, spanjollë dhe gjermanë.
Ndër të tjera, Zefi rendit katër pikat kryesore që çdo turist duhet të vizitojë gjatë qëndrimit në Lezhë.
Me hyrjen në kulmin e sezonit veror, numri i turistëve në Lezhë vijon të rritet, ndërsa gjithnjë e më shumë vizitorë po zgjedhin të zbulojnë jo vetëm bregdetin, por edhe historinë, kulturën dhe natyrën e këtij rajoni.
Top Channel