“Die Winterreise” në TKOB

27/01/2011 14:40

Me muzikë nga Franc Schubert dhe poezi të Wilhelm Muller, do të intepretohen në skenën e TKOB-së, nga mezzosopranoja Vikena Kamenica, aktorja Ema Ndoja, për herë të parë pas 20 vitesh për publikun vendas dhe pianistja Merita Tershana Rexha, në koncertin “Die Winterreise – Udhëtim dimri”.

Ai mban titullin e ciklit të 24 poezive të Muller-it, të botuara në vitet 1823-1824.

Poezitë janë shqipëruar nga Ardian Klosi, i cili ditën e shfaqjes, do të paraqesë edhe një libër ku ato janë botuar në versionin shqip dhe gjermanisht.

Austriaku Franz Schubert kompozoi muzikën mbi vargjet e poetit gjerman Muller në 1827-ën, pak para se të ndahej nga jeta.

Schubert njihet edhe si “princi i këngës” e në fakt, në epitafin e tij shkruhet “bëri poezinë të tingëllonte dhe muzikën që të fliste”.

Një ndërthurje e veprave të dy personazheve të rëndësishëm të periudhës romantike, që pasi është ngjitur në shumë skena nga artistë ndërkombëtarë, paraqitet edhe në atë të TKOB-së më datë 30 janar, nga trioja e artisteve tona.

Top Channel