Urdhër-ndalimet, Gjata: Policia s’mund të refuzojë prokurorinë

26/01/2011 00:30

Moszbatimi i urdhërit të prokurorisë për ndalimin e 6 drejtuesve të Gardës së Republikës të akuzuar për shpërdorim detyre që sollën edhe 3 vrasjet e 21 janarit, u diskutua në Top Show nga të ftuarit.

Sipas juristit dhe ish-kryetarit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Clirim Gjata, urdhër-ndalimi i prokurorisë mund të interpretohet vetëm nga gjykata. Gjithësesi ai tha se parimisht policia nuk mund të refuzojë një urdhër të prokurorisë.

“Parimisht policia nuk mund të refuzojë urdhërat e gjykatës dhe të prokurorisë. Policia është thjesht organ ekzekutiv, por ajo që do të japë një vendim përfundimtar për këtë rast është gjykata. Urdhër-ndalimi, merret nga prokuroria kur ka prova që ai që po ndiqet penalisht ka rrezik të ikë, të zhduket, këtë mund të marrë edhe policia në një rast ekstrem”, tha zoti Gjata.

Por për analistin, Mentor Nazarko, refuzimi i urdhërit të prokurorisë dhe mbrojtja që qeveria po i bën gardistëve, përfshin ekzekutivin në këtë cështje dhe është një precedent i rëndë, që sipas tij detyroi ambasadorin amerikan Arvizu të marrë në mbrojtje Prokuroren e Përgjithshme.

“Qeveria duke refuzuar urdhërin e prokurorisë po përfshin veten me atë që kanë bërë gardistët. Jo vetëm me këtë, por me shpërblimin, mbajtjen brenda kryeministrisë etj. Aq e rëndë është kjo saqë ambasadori amerikan u detyrua të marrë në mbrojtje Prokuroren e Përgjithshme, është një akt alarmi. Të sulmosh prokuroren si dasmore të Ramës është e turpshme”, tha analisti Nazarko.

Top Channel