Rama: Rezistencë paqësore

26/01/2011 16:40

Kryetari i PS, Edi Rama ka përsëritur apelin e tij ndaj qytetarëve shqiptarë për një pjesëmarrje sa më të madhe në demonstratën-homazh në nder të tre viktimave të 21 janarit.

“I drejtoj një apel qytetarëve, që kush dëshiron të respektojë viktimat e terrorizmit qeveritar, me lulet dhe me heshtjen e dhimbjes është i ftuar të marrë pjesë në homazhet e 28 janarit. Kush dëshiron të lutet, kundër barbarizmit dhe fashizmit, është i ftuar të marrë pjesë në homazhet e 28 janarit”, ka pohuar Rama.

Lideri i opozitës ka theksuar se protesta nuk do të ketë asnjë lidhje me aktet e dhunës dhe iu ka bërë thirrje atyre që janë të prirur pas këtyre akteve që të distancohen nga manifestimi.

“Kush beson tek verbëria e dhunës dhe jo tek lotët e paqes nuk ka lidhje me rrugën tonë të rezistencës paqësore. Kush beson tek hapja e plagëve të reja për të mbyllur të vjetrat gabohet, ashtu si dhe ata që mendojnë se protesta bëhet për të marrë pushtetin”, ka pohuar Rama.

Ai ka shtuar më tej se opozita e bashkuar do të vazhdojë luftën e saj për kthimin e vendit në një demokraci funksionale dhe clirimin e shtetit nga uzurpatorët.

“Rezistenca jonë mund të mallkohet, apo refuzohet, por nuk mund të thyhet sepse vjen nga realiteti i një Shqipërie të marrë peng. Ne duam që të ndërtohet një shtet për qytetarët dhe të mbarojë kapitulli i një shteti të marrë nga pushtetarët”, ka shtuar Rama.

Top Channel