Lajçak: Të ndalet përdorimi i dhunës

26/01/2011 12:55

I dërguari i BE për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, Miroslav Lajçak ka deklaruar në një konferencë për shtyp, pas takimit me liderët kryesorë politikë në vend, se duhet të ndalojë përdorimi i mëtejshëm i dhunës në vend dhe kërkoi një ulje të tensionit mes palëve.

Ai bëri të ditura një sërë pikash që politikanët në vend duhet t’i marrin në konsideratë, nëse duan të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Ai theksoi se në këto ditë të vështira, BE i qëndron pranë Shqipërisë dhe është e gatshme për të ndihmuar vendin.

“Ashton më kërkoi të vija këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë popullit shqiptar se BE është me ju, duam që Shqipëria të ketë një realitet të qartë evropian. Si fillim duhet të shikojmë një fund të dhunës, një ulje të përshkallëzimit të tensionit. Nuk është mënyra evropiane e të zgjidhurit të çështjeve politike si ajo që pamë ditën e premte”, tha Lajçak.

“Kam takuar liderët kryesorë në vend për të shprehur shqetësimin e fortë për situatën e tanishme në të cilën është Shqipëria. Theksova nevojën për të restauruar qetësinë dhe respektin e plotë për rregullin dhe shtetin e së drejtës. I kujtova përfaqësuesve tuaj politikë për përgjëgjësitë që duhet të mbajnë në plotësimin e gjërave të mëposhtme: Parandalimin e çdo dhune dhe gjakderdhjeje të mëtejshme; Funksionimin e insitucioneve shtetërore dhe respektimin e tyre; Askush nuk është mbi insitucionet shteterore; Nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësive që shkaktuan vdekjet; Shmangien e çdo veprimi që do të çonte në zgjerimin e mëtejshëm të hendekut, që ndan aktualisht skenën politike dhe shoqërinë dhe që do të rriste më tej nivelin e konfrontimeve; Së fundi, kthimin e Shqipërisë drejt rrugës europiane”, deklaroi Lajçak.

“Këto çështje mund të arrihen vetëm nëse të dyja palët luajë rolin e tyre. E bëra të qartë që e ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nëse bëjnë atë që u kërkojmë ne dhe e bëjnë tani”, theksoi Lajçak.

“BE është bashkë me ju, e gatshme për ta ndihmuar vendin tuaj. Jemi të gatshëm të kthehemi në Shqipëri në çdo moment. Si Ashton dhe Fule janë të gatshëm të vijnë sërish, por është e rëndësishme që politikanët të bëjnë lëvizjen e parë të duhur në drejtimin e duhur. Ata e dinë saktësisht se çfarë duhet bërë”, përfundoi Lajçak.

Top Channel