Manifestimi, Berisha: Po shqyrtojmë anulimin

25/01/2011 20:10

Kryeministri Sali Berisha ka falenderuar angazhimin e SHBA-ve në hetimin e demonstratës së 21 janarit dhe ka deklaruar se është në shqyrtim e sipër të mundësisë për anulimin e manifestimit kundër dhunës, të paralajmëruar për ditën e shtunë.

“Falenderoj ambasadën amerikane për ndihmën që ofroi për hetimin. E vlerësoj shumë këtë akt sepse në mënyrën më të saktë do të mund të saktësohet gjithçka lidhet me humbjen e tre jetëve, shkaqet, rrethanat me të cilat këta protestues humbën jetën. Kjo përbën një detyrim për shtetin ligjor. Në përpjekjen për grusht shteti mund të mos humbasë jetën askush, por mund ta humbsasin 3, 13, 300. Një institucion i lirë nuk jepet dhe nuk dorëzohet”, është shprehur Berisha.

“Kërkesa e dytë e ambasadorit amerikan ka të bëjë me mitingun e ditës së shtunë. Do të shqyrtojmë mundësinë e anulimit për të shtunën, të atij takimi. Jemi duke e konsideruar këtë çështje e cila është bërë edhe nga ambasadorë të tjerë dhe shumë shqiptarë, shumica nga diaspora”, deklaroi Berisha.

I pyetur nëse do të ekzistonte mundësia për t’u ulur në një tavolinë me kreun e PS-së, Edi Rama, kryeministri e përjashtoi këtë duke deklaruar se lideri i opozitës duhet të përgjigjet para ligjit për ngjarjet e 21 janarit.

“Zoti Rama organizoi një puç. Rama me njerëz të hurit dhe të litarit u vërsul dhe rrethoi Kryeministrinë. Ai do të përballet me pasojat e aktit të tij. E garantoj se kam qenë dhe mbetem i vendosur për rrugën ligjore. Do të amnistohet çdokush tjetër, përveç atij”, është shprehur Berisha.

Kryeministri ka deklaruar se në asnjë rast nuk do të përdoret ushtria, nëse do të ketë ripërsëritje të trazirave, duke e konsideruar këtë si të panevojshme.

Top Channel