Ekonomi, parashikime kontradiktore

25/01/2011 18:10

Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se ekonomia shqiptare ishte e para në rajon që mori veten pas goditjes nga kriza. Bode tha se në vitin 2010, Shqipëria pati rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan. (UPDATE)

“Në tremujorin e parë të vitit 2010, rritja ekonomike ishte 2.5% mbi bazën vjetore, në tremujorin e dytë ajo ishte 3.3%, në tremujorin e tretë 4.9%, duke shënuar si nëntëmujor një rritje ekonomike prej 3.6% të PBB-së. Zhvillimet edhe në tremujorin e katërt garantojnë objektivin e shpallur nga qeveria dhe që kemi deklaruar, për një rritje prej të paktën 4.1% në krahasim me vitin 2009”, është shprehur Bode.

Zoti Bode parashikon që edhe në vitin 2011, rritja ekonomike të jetë e lartë.

“Për vitin 2011 ne kemi programuar një rritje prej 5.5% të PBB-së dhe nga programimi që kemi bërë jemi konfident në ekzistencën e të gjitha mundësive financiare dhe kapitaleve që disponon ekonomia shqiptare. Burimet e financimit të një rritjeje prej 5.5% ekzistojnë dhe janë tërësisht të mundshme”, tha Bode.

Por në të njëtën ditë që ministri i Financave deklaroi në publik vlerësimet për rritjen ekonomike në vitin 2010 prej 4.1 përqind, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim publikon një tjetër version.

Në raportin e saj mbi ekonomitë e rajonit, BERZH ka vlerësuar se rritja ekonomike në Shqipëri ishte për 2010-n, 3.8 përqind, e cila sërish mbetet më e larta në vendet e Europës juglindore.

Por ndryshe nga qeveria, BERZH ka parashikuar se gjatë këtij viti rritja ekonomike do të jetë edhe më e ulët, vetëm 2.6 përqind, ose mbi dy herë më pak nga shifra zyrtare e qeverisë në buxhet.

Top Channel