
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku, në një deklaratë për mediat, është shprehur se ishin demonstruesit ata që goditën të parët efektivët e policisë me sende të forta, kur këta të fundit po qëndronin para Kryeministrisë.
“Policia e Shtetit, bazuar në kërkesën e Partisë Socialiste mori masat e nevojshme për zhvillimin e qetë të demonstratës së sotme. Demonstruesit goditën me sende të forta policinë dhe në vazhdim kërkuan të hynin me forcë në ambjentet e Këshillit të Ministrave. Policia është treguar e përmbajtur dhe profesioniste në përballimin e kësaj situate”, është shprehur Totraku.
Më tej, zëdhënësja e Policisë së Shtetit bëri dhe bilancin e incidenteve të sotme gjatë demonstratës: “Nga incidentet kanë humbur jetën tre persona, janë plagosur 17 efektivë të policisë dhe 15 mjete janë shkatërruar.”
“Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve për shmangien e akteve të dhunës dhe i garanton ata se do të bëjë gjithçka për ruajtjen e rendit dhe të institucioneve shtetërore”, përfundoi Laura Totraku, zëdhënësja e Policisë së Shtetit.
Top Channel