Financimi i partive, miratohet kontrolli

18/01/2011 16:45

Komisioni i Ligjeve miraton vetëm me votën e demokratëve projektligjin që detyron partitë politike të bëjnë publike çdo vit financimet e tyre dhe këto financime të kontrollohen nga ekspertë kontabël që do të caktohen me short nga KQZ-ja.

Projektligji është një kërkesë e hershme e njësisw antikorrupsion të Këshillit të Europës, por projektligji për të cilin u debatua 3 orë nuk u miratua dot me konsensus, edhe pse në dy orët e para diskutimet ishin konstruktive dhe demokratët pranuan disa amendamente të opozitës.

Konsensusi u prish tek ekspertët që do të kontrollonin financat e partive, pasi në variantin e parë drafti sugjeronte përzgjedhjen e ekspertëve nga KQZ, një insitucion që është kthyer sërish në mollë sherri, edhe pse në variantin e kompromisit të propozuar nga Ilir Rusmali, ligji ia heq të drejtën KQZ-së të përzgjedhë ekspertët, pas aplikimit të tyre, duke lënë vetëm shortin si mekanizëm të përzgjedhjes së tyre.

“Nëse doni të më thoni se KQZ-ja mund të jetë kaq e pavarur, sa të merret edhe me kontrollin financiar të partive politike, kur sot në KQZ është një tip që njëherë bën si piroman, njëherë bën si zjarrfikës, sipas qejfit të kryeministrit, unë këtë se besoj”, është shprehur deputeti socialist, Sajmir Tahiri.

“Faki që t’i ke përpara një mikrofon dhe dy kamera nuk të jep asnjë të drejtë të fyesh”, tha deputeti demokrat, Ilir Rusmajli.

Varianti i propozuar nga demokratët, i cili u bë edhe variant përfundimtar, për t’ia hequr të drejtën KQZ-së në përzgjedhjen e ekspertëve që do të kontrollojnë partitë nuk u pranua as nga socialisti Fino, i cili kërkoi që ligji të detyronte çdo kontabilist me liçensë të aplikojë për kontrollin e financave të partive politike.

Ndërsa Pandeli Majko propozoi që ligji të përcaktonte që kontrollin ta ushtrojë një kompani ndërkombëtare për të gjitha partitë, për shkak të politizimit të skajshëm të Shqipërisë.

Përfundimisht projektligji, që përcakton kontrollin financiar të partive dhe që është një nga 12 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për marrjen e statusit të vendit kandidat këtë vit, kaloi vetëm me votën pro të demokratëve dhe atë kundër ose abstenim të dy deputetëve socialistë që nuk u larguan nga mbledhja.

Top Channel