“Peng pasuria kombëtare”

18/01/2011 15:50

Ish zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello thotë se dështimi me konçesionet në energjitikë veç humbjeve të mëdha financiare po përvijon një dëm tjetër të pallogaritshëm për ekonominë.

“Humbja më e madhe e këtij dështimi të politikave të konçensionit, është vënia peng e burimeve natyrore hidrike, në duar të ndryshme që kanë fituar konçensionet”, është shprehur Bello.

Ai thotë se bëhet fjalë për një ngërç afatgjatë, i cili do të kërkojë vite të tëra përpara se të zhbllokojë sërish pasuritë e lënë peng.

“Për t’i tërhequr mbrapsht lejet konçensionare kompanive që ua kanë marrë, nuk bëhen më proçedura administrative ashtu siç i jep. Prishja e kësaj kontrate përfundon në gjykatë dhe gjykatat kanë kohë më shuma nga çka kaluar sot që kur janë dhënë. Pra këto burime nuk janë zhvilluar dhe nuk do të zhvillohen për një kohë të gjatë”, tha Bello.

Në këto kushte ish zëvendësministri propozon ndryshimin e menjëhershëm të ligjit të konçesioneve, i cili, sipas tij, është shkaku kryesor i këtij kaosi.

“Ka hidrocentrale që kanë hyrë në proçedurë në vitin 2006-ën kur u bë dhe ligji i konçensioneve dhe ende nuk është firmosur kontrata e konçensionit. I thonë 4-5 vjet proçedura. Ana proçeduriale e tyre lë për të dëshiruar dhe kërkon ndryshime serioze”, theksoi Bello.

Në 5 vite të mandatit të saj qeveria ka nënshkruar mbi 90 kontrata konçesionare, të cilat parashikojnë ndërtimin e mbi 220 hidrocentraleve. Por deri tani janë ndërtuar vetëm 6 dhe pjesa dërrmuese ka kaluar çdo afat ligjor.

Top Channel