Historia e djalit që mposhti kufizimet fizike

17/01/2011 19:15

Historia e jashtëzakonshme e një 27-vjeçari me aftësi të kufizuara fizike, u vendos në fokusin emisionit të pasdites në Top Channel.

Darjan Konomi, i diplomuar në gazetari në Greqi dhe me master në Itali, folës i katër gjuhëve të huaja, ndihet po aq i barabartë sa të gjithë të tjerët, pavarësisht një defekti të lindur.

I lindur përpara kohe, i pari emigrant shqiptar i përzgjedhur në forumet e PASOK-ut, rrezikonte të qëndronte të gjithë jetën në karrige me rrota.

”Kur lindi, një prej mjekëve pediatër më të mirë në Shqipëri na tha se ky fëmijë nuk do të ecte kurrë. Për familjen tonë, një familje sportistash dhe me një gjysh kampion noti, ishte një tragjedi e vërtetë”, kujton babai i Darjanit.

”Duke qenë se edhe vetë jam sportist, fillova t’i bëja djalit ushtrime nga ato që mendoja se do ta lejonin të ngrihej në këmbë dhe që prej moshës tre vjeç e gjysmë, ai mundi të ngrihej vetë në këmbë”.

”Qëllimi im ka qenë gjithmonë që të jem si të tjerët. Për këtë jam detyruar që të tejkaloj vazhdimisht vetveten”, thotë 27-vjeçari.

Familja e tij u detyrua të emigronte në Greqi vite më parë, për të mundur që t’i jepte një trajtim më të mirë Darjan-it. Atje, ai u angazhua shumë shpejt me sporte të ndryshme.

”Ëndrra ime ishte të luaja një ndeshje futbolli. Kur nisa stërvitjen më dhimbnin këmbët dhe i gjithë trupi, por vazhdova të stërvitesha, qoftë për dhjetë minuta në fushë.

Një prej momenteve më të bukura të jetës sime do të mbetet kur shoku i skuadrës më dha dorën kur po hyja në fushë dhe më tha se betejën tijme e kisha fituar”, shton i emocionuar kur kujton ngjarjet.

Kur kishte menduar se kishte fituar ndaj kufizimeve të tij fizike, Darjani u detyrua të rikthehej në Shqipëri. “Në një ambient shumë më paragjykues. Për mua ishte e vështirë ta përballoja psikologjikisht, pasi ndodhesha në momentin më të suksesshëm të jetës sime”, thotë 27-vjeçari.

Aktualisht, ai punon çdo ditë si skenarist dhe regjisor në një qendër ditore për fëmijë me aftësi të kufizuar mendore, gjë që i ka dhënë sërish besimin tek vetvetja se me punë mund të arrihet çdo gjë.

”Personalisht, shumë njerëz më thonë që jam i çmendur që nuk marr pensionin që me të drejtë më takon nga shteti. Megjithatë, unë mendoj se në mënyrë që të quhem i barabartë, duhet ta nis barazinë nga vetja dhe nga pretendimet e mia”.

Darjan Konomi-t tani i mbetet të realizojë edhe një ëndërr të fundit. “Dua të krijoj familje. Nuk kam paragjykime për gruan, unë e ndiej veten të barabartë me të gjithë”.

Familja e Darjanit, pavarësisht hapave të jashtëzakonshme që ka bërë ai në jetë, vazhdon ta shtyjë djalin që të arrijë gjithmonë e më lart. ”Darjani u rrit me shumë dashuri, si nënë jam e kënaqur me dëshirën që ka për punën dhe dëshiron që të ketë më shumë vullnet për të ecur më përpara në pikën ku ka arritur.

Do të më pëlqente që djali im të vazhdojë të mësojë gjuhë të huaja dhe përse jo, të bëjë edhe një master të dytë”.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel