Rrëzohet taksa e sheshtë

14/01/2011 18:05

Deklarata e kryeministrit se qeveria do të rrisë tatimin mbi fitimin në disa sektorë të ekonomisë, përbën ndoshta një nga ndryshimet më të forta në politikën fiskale.

Profesor Sulo Hadëri, zëvendësdekan i Fakultetit të Ekonomisë, thotë se me këtë veprim qeveria bën një tërheqje mbrapa nga filozofia e saj tatimore.

“Kjo lëvizje e qeverisë në drejtim të politikës fiskale shënon elementë të rinj të politikës fiskale në Shqipëri. Në një farë mënyrë kemi një kalim nga sistemi i taksave të sheshta të ulëta mbi të ardhurat dhe konkretisht mbi fitimin, në taksa progresive. Në këtë mënyrë, kjo rregullon edhe dizavantazhe që janë debatuar në ambjentet ekonomike, akademike, politike, të taksave të sheshta”, është shprehur Hadëri.

Por cili do te jetë efekti i kësaj mase, të cilën qeveria e argumenton si një ndërhyrje për ndalur abuzimet që bizneset bëjnë ndaj qytetarëve përmes fitimeve të padrejta.

“Rritja e taksave, krahas anëve pozitive që do të kishte, për të shpërndarë drejt barrën e taksave mbi agjentët ekonomikë, në këtë rast bizneset me shumë fitime dhe efektet pozitive në buxhet, do të kishte edhe pasoja të tjera për tregun. Le të themi një lloj presioni dhe reagimi ndaj bizneseve për të rritur tarifat”, tha Hadëri.

Efekti i sigurtë i kësaj mase është se qeveria do të arkëtojë më shumë taksa në buxhet. Por a është rritja e taksave rruga më e drejtë për të lehtësuar konsumatorët nga çmimet, që sipas qeverisë janë abuzive.

“Kemi dy rrugë, një që synohet që këto fitime të larta, natyshëm të japin taksa më të larta dhe një rrugë tjetër që për të ruajtur mirëqenien e konsumatorit është që tarifat të orientohen më mirë nga tregu, sepse nëse AKEP nuk e ka bërë detyrën e vetë, sepse nuk kë pasur fuqinë ta bëjë, ka shumë të ngjarë që kjo masë të mos ulë aq sa duhet tarifat”, tha Hadëri.

Pak ditë më parë kryeministri në mbledhjen e qeverisë lajmëroi se do të vendosë taksa shtesë në disa sektorë të ekonomisë, bizneset e të cilit, sipas tij, abuzojnë me çmimet në dëm të qytetarëve.

Top Channel