Tunizi, vijojnë trazirat e dhunshme

13/01/2011 15:30

Të paktën katër persona kanë mbetur të vdekur gjatë natës me përplasjet e forcave të sigurisë në Tunizi, pavarësisht se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe patrullimi i rrugëve nga ushtria duhet të kontribuonte në vendosjen e qetësisë.

Në lajmin e raportuar nga mediat ndërkombëtare në mesditën e sotme, mësohet se tre prej personave mbetën viktimë e zjarrit të hapur nga policia, në periferinë e jugut të kryeqytetit Tuniz.

Sipas raporteve të tjera të Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, numri i vërtetë i viktimave gjatë natës së djeshme është tetë.

Presidenti Zine El Abidine Ben Ali i ka konsideruar protestat si një akt terrorist. Me qindra mijëra tunizianë kanë dalë në rrugët e qyteteve kryesore të vendit, për të shprehur pakënaqësinë e tyre për rritjen e çmimeve të ushqimit, papunësinë e lartë dhe korrupsionin e madh.

Numri total i të vdekurve gjatë demonstratave është në 66 persona, pothuajse tre herë më i lartë se 23 i pranuar zyrtarisht prej autoriteteve.

Top Channel