Rritet numri i çështjeve ndaj nazistëve

13/01/2011 16:20

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 65 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, hetimet kundër kriminelëve të supozuar nazistë pësuan një rritje gjatë vitit 2010, raportoi gjatë ditës BBC.

Në vitin që lamë pas, 852 çështje ndërkombëtare, ndaj invidividëve të akuzuar për genocid apo krime kundër njerëzimit gjatë Luftës ishin duke u zhvilluar, çka shënon një rritje prej pothuajse 150 çështjesh në krahasim me një vit më parë.

”Është e qartë që po vjen një kohë që është periudha e fundit e mundshme për të trajtuar këto dosje”, deklaroi kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Hebrenjve, Efraim Zuroff, duke iu referuar moshës së të akuzuarve. “Kjo ka motivuar vendet që të bëjnë edhe një sforco të fundit politike për të dënuar ish-nazistët”.

Që prej vitit 2001, kur një raport i përvitshëm nisi të publikohej nga Shoqata, 78 persona janë dënuar si nazistë në të gjithë botën, me pesë të tjerë vetëm gjatë 2010-s.

Top Channel