Australia, shkatërrim i përmasave të luftës

13/01/2011 16:05

Shteti australian i Kuinslendit do të përballet me një rindërtim të proporcioneve të pasluftës, deklaroi sot Kryeministrja e vendit, Anna Blight.

Ajo e cilësoi tragjedinë e përmbytjeve si katastrofën më të madhe të përjetuar ndonjëherë nga vendi i saj. Prej dy ditësh nën ujë është edhe Brisbejni, qyteti i tretë më i madh i vendit, me mbi dy milion banorë.

Ndonëse niveli i ujit mbeti më poshtë nga sa u parashikua, 30 lagje periferike të kryeqytetit të Kuinslendit janë nën ujë. Përmbytja pritet të vazhdojë edhe disa javë, por Kryeministrja Blight paralajmëroi se rindërtimi që do të vijë nuk do të jetë aspak i lehtë.

”Kuinslendi është duke përjetuar tragjidinë më të rëndë në historinë e Australisë si komb. Nëse nuk e sheh me sytë e tu, nuk mund të kuptosh se deri ku mund të shkojë tërbimi i natyrës. E gjithë krahina do të përballet, pas tërheqjes së ujrave, me detyrën e rindërtimit nga shkatërrimin i proporcioneve të pasluftës”, deklaroi Blight përpara reporterëve.

15 persona kanë humbur deri tani jetën në përmbytje, me dhjetëra të tjerë që rezultojnë si të zhdukur.

Top Channel