SHBA shqyrton lirimin e dhjetëra talebanëve

04/01/2011 09:15

Disa dhjetëra talebanë të burgosur mund të lirohen nga burgu i Guantanamos, në atë që konsiderohet një shprehje mirëbesimi nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas hapave pozitivë të arritur më parë në bisedime me ish-studentët e fesë.

Sipas mediave ndërkombëtare, ky mund të jetë reagimi i Uashingtonit, një ditë pasi u arrit një marrëveshje për hapjen e një zyre politike të ekstremistëve, mundësisht në Katar, një kusht kryesor në planet e perëndimit për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, përshëndeti me tonet më të ngrohta këtë hap pozitiv në rivendosjen e paqes në vendin e tij. Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet një komunikate, gjithashtu vlerësonte arritjet, por në të njëjtën kohë paralajmëroi se rruga e mbetur përpara është ende e gjatë.

”Presidenti Barack Obama ka bërë të qartë mbështetjen dhe pjesëmarrjen e tij për një pajtim mbarëkombëtar afgan”, u shpreh zëdhënësi Jay Carney.

Hapja e zyrës së talebanëve është një hap kyç në rivendosjen e paqes, pasi do të lehtësojë dukshëm negociatat dhe pritet të bashkojë në një qëndrim zyrtar unik të gjithë fraksionet ekstremiste.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse rebelët, që deklarojnë se janë duke fituar luftën, janë të përgatitur për t’u angazhuar seriozisht në bisedimet për paqen dhe nëse ato mund të mbahen kur trupat ndërkombëtare vijojnë të vrasin talebanët dhe komandantët e tyre.

Top Channel