Kinë, censurë e re mbi televizionet

04/01/2011 08:55

Televizionet kineze dhe transmetuesit satelitorë kanë reduktuar me dy të tretat programet e tyre argëtuese në Kinë, pas një fushate të fundit qeveritare, lajmëroi gjatë së mërkurës Agjensia e Lajmeve “Xinhua”.

Pas një urdhëri të lëshuar nga Administrata Shtetërore e Radios, Televizionit dhe Filmit, ishte e domodoshme të “reduktohej argëtimi i tepruar” duke nisur nga data 1 janar.

Si rrjedhojë, numri i përbashkët i emisioneve argëtuese dhe spektaklit është reduktuar në 38 në javë, nga 126 që ishte më parë. Vendimi i debatueshëm hyri në fuqi pasi në kongresin e fundit partiak, presidenti Hu Jintao foli hapur për rrezikun që i kanoset kulturës kineze nga ndikimi perëndimor.

Në bazë të udhërit, të 34 transmetuesit satelitor në vend, nuk mund të transmetojnë më shumë se dy programe argëtuese në javë dhe këto nuk mund të kalojnë 90 minuta në transmetim.

Sipas sondazheve, Kina është vendi me shikueshmërinë më të lartë televizive në botë. 95% e 1,3 miliardë banorëve të saj ndjekin në mënyrë të përditshme këtë mjet mediatik.

Top Channel