Francë, ndizet gara për president

04/01/2011 09:35

Kandidati për president në Francë, Francois Hollande, nisi vitin e ri me një sulm të ashpër ndaj Presidentit aktual, Nicolas Sarkozy.

Në një letër të hapur të publikuar në të përditshmen “Liberation”, Hollande akuzoi Sarkozy se nuk ka bërë mjaftueshëm për të përmirësuar jetën e francezëve.

”Francezët po vuajnë. Ata vuajnë në jetën e tyre të përditshme. Papunësia është më e larta, pasi edhe rritja ka rënë në nivelet më të ulta”, komenton Hollande, “kërcënimi” kryesor për mandatin e dytë të Sarkozy.

”Depresioni ekonomik, ankthi për të ardhmen dhe besimi është në nivelin më të ulët. Kjo situatë duhet të ndryshojë, por ndryshimi mund të vijë vetëm duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe duke rreshtur së përsërituri gënjeshtrat. Pa dyshim, që prej vitit 2008, vendi është në një krizë”.

Në vazhdim të letrës së tij, kandidati 57-vjeçar i Partisë Socialiste i kushton shumë kritika mënyrës se si Sarkozy ka përballuar krizën që ka përfshirë Europën, ndërsa paraqet edhe vizionin e tij për të ardhmen.

Komentetet e Hollande vijnë në prag të një takimi të ri Sarkozy-Merkel, në të cilin pritet të debatohet mbi mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian.

Në një prononcim të mëparshëm, Hollande është shprehur kundër ndryshimeve të kryera në traktatin për Europën dhe ka premtuar që nëse do të vijë në pushtet, do të kërkojë rishikimin e traktatit.

Top Channel