Argjentinë, Presidentja Kirchner operohet sot

04/01/2011 08:35

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner do të operohet më vonë gjatë së mërkurës për të hequr disa gjendra kancerogjene pranë tiroideve të saj.

Sipas burimeve mjekësore, 58-vjeçarja ka shanse të mira për një rikuperim të plotë, pasi tumori nuk është përhapur në zona të tjera të trupit. Ndërhyrja do të kryhet në një spital të specializuar të kryeqytetit Buenos Aires.

Mediat e vendit latin shkruajnë të mërkurën se “ndërsa Kirchner pritet të përballet në një betejë të gjatë për jetën e saj, vendi është i bashkuar dhe lutet për të”.

E veja e ish-Presidentit të Argjentinës, Nestor Kirchner, fitoi një mandat të dytë në krye të shtetit me 40 milion banorë në tetor, ndërsa konsiderohet gjerësisht si një prej udhëheqësve më popullore ndonjëherë që ka drejtuar vendin.

Me ekzaminimin e sëmundjes në 22 dhjetor, Kirchner iu bashkua një sërë liderash amerikano-jugorë që janë diagnostikuar me këtë sëmundje.

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, lideri paraguajan Fernando Lugo, dhe ish-presidenti brazilian Lula a Silva, të gjithë janë operuar vitin që shkoi.

Në një deklaratë të mëparshme, Chavez i konsideroi si “të dyshimta” rastet e përhapjes së madhe të sëmundjes mes liderave të vendeve të Amerikës së Jugut dhe hipotezoi se pas këtyre ngjarjeve mund të qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel