Kodorkovski, akuza Moskës

28/12/2010 16:50

Dënimi i ri i Mikail Kodorkovskit ka ripërtërirë shqetësimet se në Rusi po triumfon drejtësia selektive.

Gjyqi dhe shpallja e tij fajtor për një raund të dytë akuzash absurde, siç përshkruhen nga analistët, është shndërruar në simbolin e sistemit të kompromentuar të drejtësisë ruse.

Vendimi nuk është se ishte kaq i papritur, por pavarësisht kësaj, reagimet që ai ngjalli në radhët e opozitës së margjinalizuar vendase, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe familjarëve të 47 vjeçarit, ishin të ashpra.

“Ishim të përgatitur shpirtërisht, e megjithatë, përsëri, vendimi për ne ishte shokues”, ka rrëfyer i biri i tij 25 vjeçar Pavel Kodorkosvki, që jeton në Nju Jork.

“Shpresova fort deri në momentin e fundit që gjykatësi të mbante një qendrim të paanshëm, një qëndrim të guximshëm. Nuk qe e thënë”, shtoi ai.

Në sallën e gjyqit të mbushur plot, gjykatësi Viktor Danilkin lexoi një ditë më parë me zë të lartë vendimin që e shpallte ish miliarderin dhe ortakun e tij Platon Lebedev, edhe ky kritik i Kremlinit, fajtor për përvetësime dhe pastrim parash.

Kritikave të sekretares së Shtetit, Hilari Klinton dhe shefit të diplomacisë gjermane, Guido Vestervele për një proçes të anshëm, ju shtua dhe zëri i deputetit konservator britanik Richard Ottaeay, që deklaroi se sundimi i ligjit në këtë proçes nuk dukej gjëkundi, dhe se vendimi ndaj Kodorkovskit do të ketë pasoja serioze në besimin e investitorëve të huaj.

Proçesi disa vjeçar është shenjuar nga vonesa të shumta e absurditete proçeduriale.

Vendimi fillimisht ishte caktuar të jepej në 15 dhjetor, por pa asnjë shpjegim ai u shty për në datën 27, kur si rastësisht, pjesa më e madhe e gazetarëve të huaj ishin larguar nga Rusia për shkak të festave të fundvitit.

Top Channel