Vendet afrikane, ultimatum Ghagbo-s

27/12/2010 15:20

Vendet e Afrikës Perëndimore i dhanë një ultimatum për t’u larguar presidentit të paligjshëm të Bregut të Fildishtë, Laurent Ghagbo, sot gjatë drekës.

Nëse ai nuk do të pranojë të dorëzojë pushtetin, atëherë një gjendje lufte mund të deklarohet, për të vendosur në pushtet fituesin e vërtetë të zgjedhjeve, Alassaine Ouattara, raportoi “Associated Press”.

Frika e përgjigjes me një raprezalje ndaj civilëve ekziston, ndërsa qindra persona protestuan në kryeqytetin Abidjan, pranë ambasadës nigeriane, duke kërkuar që të mos ketë asnjë ndërhyrje ushtarake.

”Na lini të merremi vetë me vendin tonë”, shkruhej në parrullat e shtetasve të Bregut të Fildishtë. Nigeria ka ushtrinë më të fortë në rajon dhe pritet të luajë një rol vendimtar, nëse një sulm do të ndërmerret.

Ouattara fitoi zgjedhjet presidenciale të nëntorit, por Ghagbo refuzon të lejojë ndërrimin e pushtetit. Deri tani, në protestat e dhunshme që kanë përfshirë vendin, ushtria e tij është përgjegjëse për pothuajse 200 viktima të njohura.

Top Channel