SHBA, dëbora shkakton probleme

27/12/2010 15:05

Më shumë se 2 mijë fluturime janë anulluar dhe trafiku hekurudhor e rrugor ka pësuar çrregullime të rënda, ndërsa stuhitë e dëborës kanë goditur bregun lindor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e bëri të ditur rrjeti informativ CNN, i cili theksoi se periudha e pas Krishlindjeve është veçanërisht e ngarkuar me lëvizje.

Zona e Nju Jorkut është më e goditura, me 51 centimetra dëborë brenda në qytet deri në mesditë, ndërsa shtetet e Masaçusets, Mejn, Merilend, Nju Xhersi, Karolina e Veriut dhe Virxhinia deklaruan gjendjen e emergjencës.

Shërbimi Kombëtar i Motit bëri të ditur se stuhia është rezultat i një sistemi me presion të ulët atmosferik, që po intensifikohet në afërsi të Karolinës së Veriut.

Përveç rreshjeve të dëborës, një tjetër problem i madh është shpejtësia e erës, e cila në disa zona ka kaluar 55 kilometrat në orë, ndërsa shikueshmëria është tepër e ulët.

Nuk dihet ende se kur do të rihapen aeroportet e goditur, por nuk ka shenja të dobësimit të stuhisë për momentin.

Top Channel