Presidenti koreanojugor, thirrje për unitet

27/12/2010 15:35

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung-bak lëshoi një thirrje për bashkim vendit, ndërsa theksoi se ky është sinjali më i mirë që mund të japin përballë kërcënimeve nga fqinjët komunistë të veriut.

Në deklaratën e dhënë gjatë ditës, të raportuar në mediat ndërkombëtare, Myung-bak theksoi se: “Nuk ka asnjë ndryshim midis meje dhe qytetarëve të thjeshtë kur vihet në diskutim siguria jonë kombëtare. Jeta e të gjithëve varet nga bashkimi si një komb i vetëm, përballë çdo rreziku që mund të na kërcënojë”.

Deklarata konsiderohet si një përgjigje ndaj kërcënimeve të përpara pak ditëve nga Peniani, i cili foli për një luftë të shenjtë bërthamore nëse integriteti territorial i vendit do të kanosej.

Në dekadën e fundit, ka patur një seri përplasjesh ushtarake midis njësive të vogla detare, si ato në vitet 1999, 2002 dhe 2009, por gjendja duket më e acaruar se kurrë në këtë dhjetor.

Korea e Veriut vrau katër persona në bombardimin e një ishulli që i përket Koresë së Jugut gjatë muajit, ndërsa këta të fundit u përgjigjën me stërvitjet ushtarake më të mëdha të historisë së tyre.

Top Channel