Itali, alarm në ambasadën shqiptare

27/12/2010 16:50

Alarmet për bombë në Itali kanë marrë dhenë, duke përfshirë edhe ambasadën shqiptare që ndodhet në Romë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në selinë diplomatike shqiptare është gjetur një pako e dyshimtë.

Sipas burimeve, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur specialistët e eksplozivit, të cilët kanë analizuar pakon dhe pasi e kanë hapur kanë gjetur në të vetëm një kalendar.

Kështu, alarmi është tërhequr, por autoritetet policore italiane po hetojnë për identifikimin e autorëve që kanë dërguar pakon.

Gjatë ditës së sotme një varg alarmesh kanë ardhur nga ambasadat e Venezuelës, Danimarkës, Principatës së Monakos dhe Finlandës, por që kanë rezultuar të rremë.

I vërtetë ka rezultuar vetëm ai në ambasadën greke, ku është gjetur një pako bombë, të cilën, sipas mediave italiane, specialistët po përpiqen ta caktivizojnë.

Top Channel