Dimri godet SHBA

27/12/2010 12:40

Stuhi të fuqishme dëborë kanë goditur lindjen e Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar një kaos të vërtetë të trafikut në të gjithë rajonin.

Mbi 2 mijë fluturime u anuluan, udhëtarët mbeten të bllokuar nëpër aeroporte, qarkullimi rrugor e ai hekurudhuror pati ngërçe të mëdha.

Në Maryland, Karolinën e Veriut, Maine, Virxhinia e New Jersey, është shpallur gjendja e emergjencës.

Në këtë periudhë të ngarkuar udhëtimesh për festat e fundvitit, tre aeroportet kryesore të Nju Jorkut, JFK, Newark Liberty International Airport dhe La Guardia, vezulluan thuajse krejtësisht punën.

E gjithë kjo zonë ishte në syrin e stuhisë, që hodhi në New York gati gjysmë metri borë.

Mbi 2.400 punonjës të shërbimit komunal po punojnë atje me turne 12 orëshe për të pastruar rrugët nga dëbora e akulli.

Linjat ajrore dhe trasporte të tjera janë të mbingarkuara këtë javë, pasi miliona amerikanë vizitojnë miqtë dhe familjet me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Fluturimet në rajonin lindor të Shteteve të Bashkuara, që është edhe më i populluari, shpesh janë vonuar edhe pa patur stuhi dëbore.

Shtetet jugore të Georgias dhe Karolinës se Jugut patën Krishtlindjet e para të bardha prej më shumë se një shekulli.

Furisë së motit duket se i ka shpetuar Uashington DC, ku parashikohen reshje minimale.

Stuhia e përbindshme e dëborës, siç e përshkruajnë mediat vendase, duket se nuk do të kursej as Kanadanë.

Zonat lindore të vendit po përgatiten për mbërritjen e saj.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, furtuna nisi me rënin e presionit atmosferik në brigjet e Karolinës së Veriut, duke u shndërruar pak nga pak në një stuhi mëse të fuqishme.

Top Channel