Afrikë e Jugut, mjekët vendosin kush vdes

27/12/2010 19:20

Në Afrikën e Jugut, numri në rritje i pacientëve me sëmundje veshkash dhe mungesa e ilaçeve detyron mjekët që të vendosin se cilët do të jetojnë dhe cilët do të vdesin.

Në repotazhin e sotëm të “BBC”, tregohej se si doktorët duhet të marrin çdo ditë vendime të pamëshirshme, ndërsa kapacitetet mjekësore mjaftojnë për të trajtuar vetëm shumë pak të atyre që përballen me mosfunksionim të veshkave.

”Dua të jetoj, vajza ime ka shumë nevojë për mua”, deklaroi 43-vjeçarja Karen MacPherson, e cila pak orë më pas mësoi se nuk ishte seleksionuar mes atyre që mund të merrnin trajtim.

Për të mbijetuar, ajo kishte nevojë për një trajtim të përhershëm dialize që do të pastronte në mënyrë të vazhdueshme gjakun nga helmet që nuk mund të filtrohen prej veshkave. Në vendet e zhvilluara, të gjithë kanë akses ndaj trajtimit, por në Afrikën e Jugut ai mbetet vetëm një luks.

Vetëm një në pesë afrikanojugorëve kanë një sigurim shëndetësor, ndërsa shumë pak të tjerë mund t’i lejojnë vetes të paguajnë nga xhepi për trajtimin e tyre mjekësor.

Numri i atyre që kurohen me fonde shtetërore është tepër i kufizuar dhe mjekët përballen çdo ditë me detyrën e vështirë të seleksionimit të atyre pak fatlumëve që do të munden të jetojnë.

Top Channel