Çmimi i naftës, rekord 2-vjeçar

27/12/2010 16:55

Çmimi i naftës arriti sot nivelin më të lartë të dy viteve të fundit në bursat ndërkombëtare, ndërsa tendenca mund të vazhdojë të rritet gjatë vitit të ardhshëm.

Organizata e Vendeve Prodhuese të Naftës (OPEC) njoftoi se nuk ka ndërmend të rrisë prodhimin, për të mbajtur nën kontroll çmimin, raportoi gjatë ditës rrjeti informativ “CNN”.

Në bursat amerikane, u vu re një rritje prej 27 cent deri në orën pesë të pasdites, ndërsa çmimi i një fuçie kapi vlerën e 91,78$.

Në bursën e Londrës, rritja ishte prej 44 cent, me një fuçi që listohet aktualisht me 94,21$. Rritja e normës bazë së interesit në Kinë, solli një ngritje të menjëhershme të kërkesës për më tepër naftë në këtë vend.

Çmimi për fuçi u rrit me 4%, në manovrën e fundit të ngjashme të Bankës Qëndrorë të Kinës, më parë gjatë verës. Investitorët kinezë po përpiqen të sigurojnë sa më shumë rezerva nafte, për t’i dalë përpara rrezikut të reduktimit të shpenzimeve qeveritare dhe shtrenjtimit të kredive në vend.

Sipas ekspertëve, me fundin e dimrit të ftohtë në Europë, një tjetër rritje e çmimit të naftës është e pritshme, pasi do të shtohet edhe kërkesa e kontinentit për energji.

Top Channel