Zelandë e Re, tërmet 5 ballë

26/12/2010 11:40

Një seri lëkundjesh të tokës, më e fuqishme gati 5 ballë sipas shkallës Richter, goditën qytetin Christchurch të Zelandës së Re, që në muajin shtator u përball me një tërmet shkatërrimtar prej 7,1 ballësh.

Luhatjet e reja erdhën pikërisht në periudhën e festave të fundvitit, sezoni më i ngjeshur i blerjeve.

Impakti i goditjes 4,9 ballëshe u amplifikua nga afërsia e saj me qendrën e qytetit.

Një numër ndërtesash u dëmtuan, siç raporton Reuters, furnizimi me energji elektrike u ndërpre përkohësisht dhe një qendër e madhe tregtare u evakua.

Tërmeti 7,1 ballësh i pak muajve më parë la pas një vazhdë të gjerë shkatërrimesh në qytetin 370 mijë banorësh.

Dy persona u plagosën rëndë atëherë dhe shumë ndërtesa të vjetra, përfshirë edhe disa me vlera historike, u rrafshuan krejtësisht.

Shkencëtarët thonë lëkundjet që vazhdon e të trondisin rajonin janë të lidhura me tërmetin e shtatorit dhe do të vazhdojnë edhe për ca kohë.

Sipas korrespondentëve të huaj në zonë, ishte një fat i madh që askush nuk u plagos nga tërmeti i sotëm, me epiqendër 12 kilometra nën tokë.

Autoritetet kanë ngritur një qendër operacionale të emergjencës, e cila koordinon reagimin e shërbimeve të ndërhyrjes së shpejtë.

Top Channel