Paris, qindra udhëtarë të bllokuar

25/12/2010 10:30

Me qindra udhëtarë të bllokuar në aeroportin e kryesor të Parisit, Charles de Gaulle, u zgjuan sot nëpër korridore duke pritur fluturimet e tyre.

Kaosi vazhdon edhe në ditën e Krishlindjeve në Francë, lajmëroi “AFP”, ndërsa rreshjet e reja të dëborës dhe ngrica anulluan pothuajse 400 fluturime gjatë ditës së premte.

Trafiku ajror iu rikthyer normalitetit, edhe pse me vonesa, gjatë mëngjesit të sotëm, por ndërkohë qindra njerëz nuk mundën të mbërrinin në kohë në shtëpitë e tyre në ditën më të rëndësishme të vitit për besimtarët e krishterë.

Shërbimet e aeroportit ofruan ushqime, batanije, jastikë dhe lodra për fëmijët, ndërsa gejtet e aeroportit i ngjasonin një zbarkimi klandestin. Për të bërë sado pak të gëzueshëm këtë ditë, autoritetet punësuan babagjyshë të vitit të ri dhe dekoruan ambientet e Charles de Gaulle.

Ndërkohë, rreshjet e dëborës kanë bllokuar shumë rrugë dytësore, dukë lënë rreth 10 000 shtëpi në Francë pa komunikim për momentin. Problemet vazhdojnë të jenë prezente edhe në Gjermani e Belgjikë, ku ngrica ka goditur veçanërisht trafikun hekurudhor e autostardat.

Top Channel