Liderët afrikanë kërcënojnë Gbagbo-n

25/12/2010 11:50

Liderët e vendeve të Afrikës Perëndimore kërcënuan me ndërhyrje ushtarake Bregun e Fildishtë, nëse presidenti i paligjshëm, Laurent Gbagbo, nuk do të largohet prej pushtetit, informoi rrjeti informativ amerikan “CNN”.

”Nëse Zoti Gbagbo nuk do të marrë parasysh vullnetin e popullit të tij dhe kërkesat e vendeve të Afrikës Perëndimore, nuk do të na mbetet asgjë tjetër përveçse marrja e masave më të ashpra, të cilat përfshijën edhe një ndërhyrje ushtarake”, ishte deklarata e përbashkët e 15 antarëve të Komunitetit Ekonomik të Afrikës Perëndimore (ECOWAS).

”Në gjendjen e krijuar ne i bëjmë thirrje Komitetit të Shefave të Shtabeve Ushtarake që të mblidhen sa më shpejt dhe të diskutojnë mbi veprimet e ardhshme, përfshi vendosjen e trupave në kufirin midis Bregut të Fildishtë dhe Liberisë, nëse do të vazhdojë të ketë mbështetje të trupave të Gbagbo nga ky kufi”.

Deklarata në bllok e vendeve që kufizojnë Bregun e Fildishtë është një tjetër goditje e rëndësishme ndërkombëtare, pasi më parë SHBA, OKB dhe vendet më të fuqishme në planet kishin dënuar veprimet agresive të ish-presidentit.

Një tjetër kandidat, Alassaine Ouattara, fitoi me 54% të votave në zgjedhjet e 28 nëntorit. Laurent Gbagbo, president prej pothuajse dhjetë vitesh, refuzon të lejojë ndërrimin e pushtetit, duke argumentuar se zgjedhjet ishin të parregullta. Trupat ushtarake, besnike ndaj tij, konsiderohen fajtore deri tani për pothuajse 200 viktima mes popullsisë civile.

Top Channel