Indi, sateliti shpërthen gjatë ngritjes

25/12/2010 13:45

Një raketë indiane, e cila mbante një satelit komunikimi që do të lëshohej në orbitën e Tokës, shpërtheu në ngritje pak pas mesditës.

Raketa u shndërrua në një vijë tymi dhe zjarri, pas lëshimit nga baza e Sriharikotës, 80 kilometra nga qyteti i Çenait. E gjithë “shfaqja” u transmetua në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga televizioni shtetëror.

Agjensia e Lajmeve Indiane (UNI) bëri të ditur se një problem në motorë besohet se shkaktoi shkatërrimin. Lëshimi ishte programuar për të ndodhur në datën 20 dhjetor, por më pas u shty pasi inxhinjerët zbuluan një rrjedhje karburanti në një prej motorëve të prodhuar në Rusi.

Organizata Indiane Hapësinore (ISRO) nuk pranoi të lëshonte një koment. Në korrik, vendi mundi të nxirrte në orbitë me sukses pesë satelitë, por në prill ndodhi një tjetër aksident i ngjashëm.

Vendi me popullsi prej pothuajse një miliard banorësh ka programuar të lëshojë misionin e tij të parë me njerëz brenda një rakete në vitin 2016.

Top Channel