Bjellorusi, arrestohet gjenerali madhor

25/12/2010 10:05

Shefi më i lartë i forcave ajrore bjelloruse u arrestua mëngjesin e sotëm me akuzën e abuzimit me detyrën e tij, informoi Ministria e Mbrojtjes në një komunikatë.

Gjeneral-majori Igor Azarenok, supozohet se mund të jetë fajtor për një nen të kodit penal, i cili i referohet neglizhencës së zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe qeveritarë. Mbetet e paqartë se si është ndërtuar akuza.

Në Bjellorusi ndodhen nëpër burgje disa qindra njerëz të arrestuar pas protestave të 19 dhjetorit, pas rizgjedhjes së presidentit Lukashenko, në zgjedhje të kontestuara prej monitoruesve perëndimorë.

Edhe pse komunikata nuk ofronte asnjë shpjegim për arrestimin e Azarenok-ut, në të vlerësohej niveli i kriminalitetit në ushtrinë bjelloruse si “ndër më të ultit në botë, si rrjedhojë e luftës së vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes ndaj të gjithë atyre parregullsive apo shkeljeve që mund të minojnë disiplinën ushtarake”.

Top Channel