Shkodra, një javë pas përmbytjes

22/12/2010 19:25

Një javë pas përmbytjes së pestë të Shkodrës brenda vitit, pamja që gjen në mbërritjen e kryeqëndrës së veriut është e denjë për fantazi regjisorësh.

Megjithatë, pavarësisht kushteve të vështira, jeta ka vazhduar në rrjedhën e saj. Ajmir Hasnisi, nga fshati Zus, u bë i famshëm në të gjithë Shqipërinë me vendimin për të mos e shtyrë dasmën e progamuar për 15 dhjetor, kur uji ishte në nivelin maksimal.

”Pavarësisht të gjitha vështirësive, dasma shkoi e gjitha siç duhej”, thotë Ajmiri. “E kishim caktuar datën e dasmës që 3-4 muaj përpara. Në të njëjtën datë ishim fejuar, prandaj dëshironim ta bënim dyfish më të rëndësishme”.

”Kisha ëndërruar që dasma ime të ishte lajm dite dhe ia dola mbanë”, thotë me humor bashkëshortja, Amela. “Si të gjitha kisha imagjinuar një dasëm romantike. E rëndësishme është që ajo do të mbahet mend për shumë kohë”.

Dy javë përpara dasmës, çifti nuk mundi të takohej për shkak të përmbytjeve, por në momentin kur erdhi dita, Ajmiri, së bashku me të gjithë krushqit, kaloi duke rrezikuar jetën urën e Bunës për të marrë nusen. Nëse ajo do të ishte e pakalueshme, një varkë ishte gati të transportonte dasmorët, ndërsa karta e fundit t’i kërkonin ushtrisë një helikopter.

”Respektuam tradidatat e zonës sonë, duhet të shkonim të gjithë tek nusja”, shton Ajmiri. “Për fat, restoranti ku u zhvillua dasma nuk u përmbyt. Por, edhe në rast të kundërt, dasmën do ta kisha bërë gjithsesi. Një lokal do ta kishim gjetur patjetër”.

Lagjja hyrëse, Xhabije, është më e dëmtuara prej sulmit të egër të natyrës, por banorët kanë rinisur të hapin dyqanet, të rivendosen në shtëpi dhe të bëhen gati për rilindjen e pestë brenda vitit.

Ndonëse Shkodra mbetet nën kërcënimin e natyrës ende, banorët nuk kanë ndërmend të presin fundin e dimrit, për të rifilluar jetën e tyre normale.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel