A do të vuani nga Alzheimer? Zbuloheni në rini

22/12/2010 17:15

Një grup kërkuesish britanikë informuan se mund të kenë gjetur një mënyrë për të testuar që në moshë të re, nëse do të prekesh prej Alzheimerit në të ardhmen.

Studimi i publikuar mëngjesin e sotëm krijoi një zhurmë të madhe në media, ndërsa shumë prej personave kryesisht mbi moshën 60-vjeçare preken prej sindromës që dëmton sistemin nervor qëndror dhe pjesë të tjera të trurit, si vatrat e kujtesës.

Nëse rezultatet do të konfirmohen, atëherë mjekët mund të përpunojnë shumë shpejt një ilaç efektiv që do t’i jepet të gjithë personave, të cilët rezultojnë se do të preken në të ardhmen.

Mjekimi duhet të jetë në gjendje që të ngadalësojë ritmet e përparimit të sëmundjes, e cila për momentin është e pakurueshme. Një mënyrë e re skanimi, besohet se do të jetë në gjendje të zbulojë shenjat e dementias, siç quhet gjendja përpara kalimit në Alzhaimer të plotë.

Edhe pse mjekime për të kuruar dementian ekzistojnë aktualisht, është shumë e vështirë që ato të përdoren, pasi përgjithësisht, pacientët arrijnë të zbulojnë sëmundjen e tyre vetëm kur ajo kalon në një stad të avancuar.

Mënyra e re e skanimit të trurit do të fokusohet në dy simptoma të dementias. Ai duhet të jetë në gjendje të zbulojë që në fazën më të hershme uljen e numrit të një lloji proteine, të quajtur amyloid dhe njëkohësisht, rrudhjen në sipërfaqen e trurit, në një pjesë të përcaktuar qartë vetëm kohët e fundit.

”Alzhaimer sot përbën një lloj dënimi me vdekje për të sëmurin”, deklaroi Rebecca Wood, pjestare e grupit kërkimor. “Paaftësia për të kuruar këtë sindromë ka dëshpëruar prej kohësh mjekët, por aktualisht, pothuajse çdo sëmundje është e kurueshme nëse zbulohet në stade të hershme dhe Alzhaimer gjithashtu nuk përbën përjashtim”.

Top Channel